Job:12-14




alb@Job:12:1 @ Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

alb@Job:12:2 @ "Pa dyshim ju jeni njerëz të urtë, dhe dituria do të marrë fund me ju.

alb@Job:12:3 @ Edhe unë kam mendje si ju, dhe nuk bie më poshtë se ju; përveç kësaj, kush nuk i di gjërat si këto?

alb@Job:12:4 @ Jam bërë gazi i miqve të mi; unë, të cilit Perëndia i përgjigjej kur i drejtohesha; të drejtin, të ndershmin, e kanë vënë në lojë.

alb@Job:12:5 @ Një llambë, e përçmuar në mendimet e atyre që jetojnë në mes të të mirave, është përgatitur për ata të cilëve u merren këmbët.

alb@Job:12:6 @ Çadrat e cubave përkundrazi janë të qeta dhe e ndjejnë veten të sigurt ata që provokojnë Perëndinë dhe që e hyjnizojnë forcën e tyre.

alb@Job:12:7 @ Por pyeti tani kafshët dhe do të të mësojnë, zogjtë e qiellit dhe do të ta thonë,

alb@Job:12:8 @ ose foli tokës, dhe ajo do të të mësojë, dhe peshqit e detit do të ta tregojnë.

alb@Job:12:9 @ Midis tërë këtyre krijesave, cila nuk e di që dora e Zotit i ka bërë këto?

alb@Job:12:10 @ Ai ka në dorë të tij jetën e çdo gjallese dhe frymën e çdo qenieje njerëzore.

alb@Job:12:11 @ Veshi a nuk i shqyrton vallë fjalët, ashtu si i shijon qiellza ushqimet?

alb@Job:12:12 @ Ndër pleqtë gjejmë diturinë, dhe gjatësia e ditëve u jep edhe gjykimin.

alb@Job:12:13 @ Por tek ai gjejmë diturinë dhe forcën, atij i përkasin mendja dhe gjykimi

alb@Job:12:14 @ Në rast se ai shkatërron, askush nuk mund të rindërtojë; në rast se fut në burg dikë, askush nuk mund t`ia hapë.

alb@Job:12:15 @ Në rast se i ndal ujërat, çdo gjë thahet; po t`i lërë të lira, përmbytin tokën.

alb@Job:12:16 @ Ai zotëron forcën dhe diturinë; prej tij varen ai që mashtrohet dhe ai që mashtron.

alb@Job:12:17 @ Ai i bën këshilltarët të ecin zbathur, i bën gjyqtarët të pamend.

alb@Job:12:18 @ Këput verigat e imponuara nga mbretërit dhe lidh me zinxhirë ijet e tyre.

alb@Job:12:19 @ I bën që të ecin zbathur priftërinjtë dhe përmbys të fuqishmit.

alb@Job:12:20 @ I lë pa gojë ata tek të cilët ka besim dhe i lë pa mend pleqtë.

alb@Job:12:21 @ Zbraz përçmimin mbi fisnikët dhe ua liron brezin të fortëve.

alb@Job:12:22 @ Zbulon gjërat e thella të fshehura në terr dhe sjell në dritë hijen e vdekjes.

alb@Job:12:23 @ I bën të mëdha kombet dhe pastaj i shkatërron, i zgjeron kombet dhe pastaj i mërgon.

alb@Job:12:24 @ U heq arsyen sundimtarëve të tokës dhe i bën të enden në vende të shkreta pa rrugë.

alb@Job:12:25 @ Ecin verbërisht në terr pa dritë dhe i bën të ecin si të dehur".

alb@Job:13:1 @ "Ja, tërë këtë syri im e pa dhe veshi im e dëgjoi dhe e kuptoi.

alb@Job:13:2 @ Atë që ju dini e di edhe unë; nuk vij pas jush.

alb@Job:13:3 @ Por do të dëshiroja të flas me të Plotfuqishmin, do të më pëlqente të diskutoja me Perëndinë;

alb@Job:13:4 @ sepse ju jeni trillues gënjeshtrash, jeni të gjithë mjekë pa asnjë vlerë.

alb@Job:13:5 @ Oh, sikur të heshtnit fare, kjo do të ishte dituria juaj.

alb@Job:13:6 @ Dëgjoni tani mbrojtjen time dhe vini re deklaratat e buzëve të mia.

alb@Job:13:7 @ A doni vallë të flisni në mënyrë të mbrapshtë në mbrotje të Perëndisë dhe të flisni në favor të tij me mashtrime?

alb@Job:13:8 @ A doni të përdorni anësi me të ose të mbroni një kauzë të Perëndisë?

alb@Job:13:9 @ Do të ishte më mirë për ju që ai t`ju hetonte, apo talleni me të ashtu si talleni me një njeri?

alb@Job:13:10 @ Me siguri ai do t`ju qortojë, në rast se fshehurazi veproni me anësi.

alb@Job:13:11 @ Madhëria e tij vallë a nuk do t`ju kallë frikë dhe tmerri i tij a nuk do të bjerë mbi ju?

alb@Job:13:12 @ Thëniet tuaja moralizuese janë proverba prej hiri, argumentet tuaja më të mira nuk janë veçse argumente prej argjila.

alb@Job:13:13 @ Heshtni dhe më lini mua të flas, pastaj le të më ndodhë çfarë të dojë.

alb@Job:13:14 @ Pse duhet ta mbaj mishin tim me dhëmbët dhe ta vë jetën time në duart e mia?

alb@Job:13:15 @ Ja, ai do të më vrasë, nuk kam më shpresë; sidoqoftë, do ta mbroj para tij qëndrimin tim

alb@Job:13:16 @ Ai do të jetë edhe shpëtimi im, sepse një i pabesë nuk do të guxonte të paraqitej para tij.

alb@Job:13:17 @ Dëgjoni me vëmendje fjalimin tim dhe deklaratat e mia me veshët tuaj.

alb@Job:13:18 @ Ja, unë e kam përgatitur kauzën time; e di që do të njihem si i drejtë.

alb@Job:13:19 @ Kush kërkon, pra, të hahet me mua? Sepse atëherë do të heshtja dhe do të vdisja.

alb@Job:13:20 @ Vetëm mos bëj dy gjëra me mua, dhe nuk do t`i fshihem pranisë sate;

alb@Job:13:21 @ largoje dorën nga unë dhe tmerri yt të mos më kallë më frikë.

alb@Job:13:22 @ Pastaj mund edhe të më thërrasësh edhe unë do të përgjigjem, ose do të flas unë, dhe ti do të përgjigjesh.

alb@Job:13:23 @ Sa janë fajet e mia dhe mëkatet e mia? Më bëj të ditur shkeljet e mia dhe mëkatin tim!

alb@Job:13:24 @ Pse më fsheh fytyrën tënde dhe më konsideron si armikun tënd?

alb@Job:13:25 @ Mos do vallë të trembësh një gjethe të shtyrë sa andej dhe këndej dhe të ndjekësh ca kashtë të thatë?

alb@Job:13:26 @ Pse shkruan kundër meje gjëra të hidhura dhe bën që të rëndojë mbi mua trashëgimia e fajeve të rinisë sime?

alb@Job:13:27 @ Ti i vë këmbët e mia në pranga dhe kqyr me kujdes rrugët e mia; ti vendos një cak për tabanin e këmbëve të mia,

alb@Job:13:28 @ Ndërkaq trupi im po shpërbëhet si një send i kalbur, si një rrobë që e ka grirë mola".

alb@Job:14:1 @ "Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.

alb@Job:14:2 @ Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë.

alb@Job:14:3 @ Mbi një qenie të tillë ti i mban sytë të hapur, dhe më bën që të dal në gjyq bashkë me ty.

alb@Job:14:4 @ Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër? Askush.

alb@Job:14:5 @ Sepse ditët e saj janë të caktuara, numri i muajve të saj varet nga ti, dhe ti i ke vendosur kufij që nuk mund t`i kapërcejë.

alb@Job:14:6 @ Hiqe shikimin nga ai dhe lëre të qetë, deri sa të mbarojë ditën e tij si një argat.

alb@Job:14:7 @ Të paktën për drurin ka shpresë; në rast se pritet, rritet përsëri dhe vazhdon të mugullojë.

alb@Job:14:8 @ Edhe sikur rrënjët e tij të plaken nën tokë dhe trungu i tij të vdesë nën dhe,

alb@Job:14:9 @ me të ndjerë ujin, mugullon përsëri dhe lëshon degë si një bimë.

alb@Job:14:10 @ Njeriu përkundrazi vdes dhe mbetet i shtrirë për dhe; kur është duke nxjerrë frymën e fundit, ku është, pra?

alb@Job:14:11 @ Mund të mungojnë ujërat në det dhe një lumë të meket dhe të thahet,

alb@Job:14:12 @ por njeriu që dergjet nuk ngrihet më; sa të mos ketë më qiej, nuk do të zgjohet dhe nuk do të çohet më nga gjumi i tij.

alb@Job:14:13 @ Ah sikur të doje të më fshihje në Sheol, të më mbaje të fshehur sa të kalonte zemërimi yt, të më caktoje një afat dhe të më kujtoje!

alb@Job:14:14 @ Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, deri sa të arrinte ora e ndryshimit tim.

alb@Job:14:15 @ Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.

alb@Job:14:16 @ Atëherë ti do të më numëroje hapat, por nuk do të vije re mëkatet e mia;

alb@Job:14:17 @ do ta vulosje në një thes mëkatin tim dhe do ta mbuloje fajin tim

alb@Job:14:18 @ Por ashtu si një mal rrëzohet dhe thërrmohet, ashtu si një shkëmb luan nga vendi i tij,

alb@Job:14:19 @ ashtu si ujërat gërryejnë gurët dhe vërshimet marrin me vete dheun, kështu ti shkatërron shpresën e njeriut.

alb@Job:14:20 @ Ti e vë përfund për gjithnjë, dhe ai shkon; ti ia prish fytyrën dhe e dëbon.

alb@Job:14:21 @ Në rast se bijtë e tij janë të nderuar, ai nuk e di; po të jenë të përbuzur, ai nuk e vë re.

alb@Job:14:22 @ Ai ndjen vetëm dhembjen e madhe të mishit të tij dhe pikëllohet për veten e tij.

alb@Job:15:1 @ Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:


Seeker Overlay: Off On
Bible:
Bible:
Book: