Leviticus:8-10




alb@Leviticus:8:1 @ Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

alb@Leviticus:8:2 @ "Merr Aaronin dhe bijtë e tij bashkë me të, rrobat, vajin e vajosjes, demin e vogël të flijimit për mëkatin, dy deshtë dhe shportën e bukëve të ndorme,

alb@Leviticus:8:3 @ dhe mblidhe gjithë asamblenë në hyrje të çadrës së mbledhjes".

alb@Leviticus:8:4 @ Atëherë Moisiu bëri ashtu si e kishte urdhëruar Zoti, dhe asambleja u mblodh në hyrje të çadrës së mbledhjes.

alb@Leviticus:8:5 @ Dhe Moisiu i tha asamblesë: "Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar të bëhet".

alb@Leviticus:8:6 @ Pastaj Moisiu e afroi Aaronin dhe bijtë e tij dhe i lau me ujë.

alb@Leviticus:8:7 @ Pastaj i veshi Aaronit tunikën, i ngjeshi brezin, i veshi mantelin, i vendosi efodin, dhe i ngjeshi brezin e punuar artistikisht nga efodi me të cilin i fiksoi në trup efodin.

alb@Leviticus:8:8 @ I vuri gjithashtu pektoralin dhe mbi të vendosi Urim-in dhe Thumim-in.

alb@Leviticus:8:9 @ Pastaj i vuri çallmën mbi krye dhe në pjesën e përparme të çallmës vendosi pllakën e artë, diademën e shenjtë, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

alb@Leviticus:8:10 @ Pastaj Moisiu mori vajin e vajosjes, vajosi tabernakullin dhe të gjitha gjërat që ndodheshin aty, duke i shenjtëruar në këtë mënyrë.

alb@Leviticus:8:11 @ Me pak vaj spërkati shtatë herë altarin, vajosi altarin dhe tërë pajisjet e tij, si dhe legenin dhe bazën e tij, për t`i shenjtëruar.

alb@Leviticus:8:12 @ Pas kësaj derdhi pak nga vaji i vajosjes mbi kokën e Aaronit dhe e vajosi për ta shenjtëruar.

alb@Leviticus:8:13 @ Pastaj Moisiu i afroi bijtë e Aaronit, i veshi me tunika, iu ngjeshi breza dhe u vuri mbulesa të kokës, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

alb@Leviticus:8:14 @ Pastaj afroi demin e vogël të flijimit për mëkatin dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e demit të vogël të flijimit për mëkatin.

alb@Leviticus:8:15 @ Pastaj Moisiu e theri, mori gjak prej tij, e vuri me gisht mbi brirët e altarit rreth e qark dhe e pastroi altarin; pastaj derdhi gjakun në bazën e altarit dhe e shenjtëroi për të bërë mbi të shlyerjen.

alb@Leviticus:8:16 @ Pastaj mblodhi gjithë dhjamin që ishte mbi zorrët, bulën e majme të mëlçisë dhe të dy veshkat me dhjamin e tyre, dhe Moisiu i tymosi mbi altar.

alb@Leviticus:8:17 @ Por demin e vogël, lëkurën e tij, mishin dhe fëlliqësirat e tij i dogji me zjarr jashtë kampit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

alb@Leviticus:8:18 @ Pastaj paraqiti dashin e olokaustit dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e dashit

alb@Leviticus:8:19 @ Moisiu e theri dhe spërkati gjakun rreth e qark altarit.

alb@Leviticus:8:20 @ Pastaj e preu dashin në copa dhe Moisiu tymosi kokën, copat dhe dhjamin.

alb@Leviticus:8:21 @ Pasi i lau zorrët dhe këmbët me ujë, Moisiu e tymosi tërë dashin mbi altar. Ishte një olokaust me një erë të këndshme, një flijim i bërë me zjarr për Zotin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

alb@Leviticus:8:22 @ Pastaj paraqiti dashin e dytë, dashin e shenjtërimit, dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e dashit.

alb@Leviticus:8:23 @ Pastaj, pra, e theri, mori pak nga gjaku i tij dhe e vuri në skajin e veshit të djathtë të Aaronit dhe mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë.

alb@Leviticus:8:24 @ Pastaj Moisiu i afroi bijtë e Aaronit dhe vuri pak gjak në skajin e veshit të tyre të djathtë, mbi gishtin e madh të dorës së tyre të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tyre të djathtë; dhe Moisiu spërkati mbetjen e gjakut rreth e qark mbi altar.

alb@Leviticus:8:25 @ Pastaj mori dhjamin, bishtin e majmë, tërë dhjamin që ishte mbi zorrët, bulën e majme të mëlçisë, të dy veshkat dhe dhjamin e tyre, dhe kofshën e djathtë;

alb@Leviticus:8:26 @ dhe nga shporta e bukëve të ndorme, që ndodhej para Zotit mori një kulaç pa maja, një kulaç buke me vaj dhe një revani, dhe i vuri mbi dhjamin dhe mbi kofshën e djathtë.

alb@Leviticus:8:27 @ Pastaj i vuri tërë këto gjëra në duart e Aaronit dhe në duart të bijve të tij dhe i tundi si ofertë e tundur përpara Zotit.

alb@Leviticus:8:28 @ Pastaj Moisiu i mori nga duart e tyre dhe i tymosi mbi altarin sipër olokaustit. Ishte një flijim shenjtërimi me erë të këndshme, një flijim i bërë me zjarr për Zotin.

alb@Leviticus:8:29 @ Pastaj Moisiu mori gjoksin dhe e tundi si një ofertë të tundur përpara Zotit; kjo ishte pjesa e dashit të shenjtërimit që i takoi Moisiut, si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

alb@Leviticus:8:30 @ Moisiu mori pastaj ca vaj të vajosjes dhe ca gjak që ndodhej mbi altar dhe i spërkati mbi Aaronin, mbi rrobat e tij, mbi bijtë e tij dhe mbi rrobat e bijve të tij me të; kështu shenjtëroi Aaronin, rrobat e tij, bijtë e tij dhe rrobat e bijve të tij me të.

alb@Leviticus:8:31 @ Pastaj Moisiu i tha Aaronit dhe bijve të tij: "Piqeni mishin në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe hajeni aty me bukën që është në shportën e shenjtërimit, siç kam urdhëruar, duke thënë: "Aaroni dhe bijtë e tij do të hanë".

alb@Leviticus:8:32 @ Atë që tepron nga mishi dhe nga buka do ta digjni me zjarr.

alb@Leviticus:8:33 @ Shtatë ditë me radhë nuk do të dilni nga hyrja e çadrës së mbledhjes, deri sa të plotësohen ditët e shenjtërimit tuaj, sepse do të nevojiten shtatë ditë për të plotësuar shenjtërimin tuaj.

alb@Leviticus:8:34 @ Ashtu siç është vepruar në këtë ditë, kështu ka urdhëruar Zoti të bëhet për të bërë shlyerjen për ju.

alb@Leviticus:8:35 @ Do të qëndroni pra shtatë ditë në hyrje të çadrës së mbledhjes, ditë e natë, dhe do të respektoni urdhërimin e Zotit, që të mos vdisni; sepse kështu më kishte qenë urdhëruar".

alb@Leviticus:8:36 @ Kështu Aaroni dhe bijtë e tij bënë tërë ato gjëra që Zoti kishte urdhëruar me anë të Moisiut.

alb@Leviticus:9:1 @ Ndodhi në ditën e tetë që Moisiu thirri Aaronin, bijtë e tij dhe pleqtë e Izraelit,

alb@Leviticus:9:2 @ dhe i tha Aaronit: "Merr një viç për flijimin për mëkatin dhe një dash për një olokaust, që të dy pa të meta, dhe ofroji para Zotit.

alb@Leviticus:9:3 @ Pastaj do t`u flasësh bijve të Izraelit, duke u thënë: Merrni një cjap për flijimin për mëkatin, një viç dhe një qengj, që të dy motakë, pa të meta, për një olokaust,

alb@Leviticus:9:4 @ një dem të vogël dhe një dash për flijimin e falënderimit, për t`i flijuar përpara Zotit, dhe një ofertë ushqimesh, të përziera me vaj, sepse sot Zoti do t`ju shfaqet".

alb@Leviticus:9:5 @ Dhe kështu ata sollën përpara çadrës së mbledhjes atë që Moisiu kishte urdhëruar; dhe tërë asamblea u afrua dhe qëndroi në këmbë përpara Zotit.

alb@Leviticus:9:6 @ Atëherë Moisiu tha: "Kjo është ajo që Zoti ju ka urdhëruar; bëjeni dhe lavdia e Zotit do t`ju shfaqet".

alb@Leviticus:9:7 @ Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Afroju altarit; paraqit flijimin tënd për mëkatin dhe olokaustin tënd, dhe bëj shlyerjen për vete dhe për popullin; paraqit gjithashtu ofertën e popullit dhe bëj shlyerjen për ata, siç ka urdhëruar Zoti".

alb@Leviticus:9:8 @ Kështu Aaroni iu afrua altarit dhe theri viçin e flijimit për mëkatin, që e kishte për vete.

alb@Leviticus:9:9 @ Pastaj bijtë e tij i paraqitën gjakun dhe ai ngjeu gishtin e tij në gjak dhe e vuri atë mbi brirët e altarit, dhe derdhi mbetjen e gjakut në bazën e altarit;

alb@Leviticus:9:10 @ por dhjamin, veshkat dhe bulën e majme të mëlçisë të flijimit për mëkatin, i tymosi mbi altar ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

alb@Leviticus:9:11 @ Mishin dhe lëkurën përkundrazi i dogji jashtë kampit.

alb@Leviticus:9:12 @ Pastaj theri olokaustin; bijtë e Aaronit i dhanë gjakun dhe ai e spërkati rreth e qark mbi altarin.

alb@Leviticus:9:13 @ Pastaj i dhanë olokaustin e bërë copë-copë dhe kokën; dhe ai i tymosi mbi altar.

alb@Leviticus:9:14 @ Lau zorrët dhe këmbët dhe i tymosi bashkë me olokaustin mbi altar.

alb@Leviticus:9:15 @ Pastaj paraqiti ofertën e popullit. Mori cjapin, që ishte flia për mëkatin e popullit, e theri dhe e ofroi për mëkatin, si ofertë të parë.

alb@Leviticus:9:16 @ Pastaj paraqiti olokaustin dhe e ofroi sipas rregullit të caktuar.

alb@Leviticus:9:17 @ Paraqiti pas kësaj blatimin e ushqimit; mori një grusht prej tij dhe e tymosi mbi altar, përveç olokaustit të mëngjesit.

alb@Leviticus:9:18 @ Theri edhe demin e vogël dhe dashin, si flijim falënderimi për popullin. Bijtë e Aaronit i dhanë gjakun dhe ai e spërkati rreth e qark mbi altarin.

alb@Leviticus:9:19 @ I paraqitën dhjamin e kaut, të dashit, bishtin e majmë, dhjamin që mbulon zorrët, veshkat dhe bulën e majme të mëlçisë;

alb@Leviticus:9:20 @ vunë dhjamin mbi gjokset, dhe ai tymosi dhjamin mbi altar;

alb@Leviticus:9:21 @ por gjokset dhe kofshën e djathtë Aaroni i tundi përpara Zotit si ofertë e tundur, sipas mënyrës që kishte urdhëruar Moisiu.

alb@Leviticus:9:22 @ Pastaj Aaroni ngriti duart e tij drejt popullit dhe e bekoi; mbasi bëri flijimin për mëkatin, olokaustin dhe flijimin e falënderimit, zbriti nga altari.

alb@Leviticus:9:23 @ Pastaj Moisiu dhe Aaroni hynë në çadrën e mbledhjes; pastaj dolën dhe bekuan popullin. Atëherë lavdia e Zotit iu shfaq tërë popullit.

alb@Leviticus:9:24 @ Pastaj një zjarr doli nga prania e Zotit dhe konsumoi mbi altar olokaustin dhe dhjamin; tërë populli e pa, shpërtheu në britma gëzimi dhe u përul me fytyrë për tokë.

alb@Leviticus:10:1 @ Pastaj Nadabi dhe Abihu, bij të Aaronit, morrën secili temjanicën e vet, i vunë brenda zjarr, vendosën mbi të temjanin dhe ofruan para Zotit një zjarr të palejueshëm, që ai nuk ua kishte urdhëruar.

alb@Leviticus:10:2 @ Atëherë një zjarr doli nga prania e Zotit dhe i përpiu ata; dhe ata vdiqën përpara Zotit.

alb@Leviticus:10:3 @ Prandaj Moisiu i tha Aaronit: "Kjo është ajo për të cilën foli Zoti, duke thënë: "Unë do të jem shenjtëruar nga ata që më afrohen mua dhe do të jem përlavdëruar përpara tërë popullit"". Dhe Aaroni heshti.

alb@Leviticus:10:4 @ Pastaj Moisiu thirri Mishaelin dhe Eltsafanin, bij të Uzielit, ungj i Aaronit, dhe u tha atyre: "Afrohuni dhe largoni vëllezërit tuaj nga pjesa e përparme e shenjtërores, jashtë kampit".

alb@Leviticus:10:5 @ Kështu ata u afruan dhe i larguan ata të veshur me tunikat e tyre, jashtë kampit, siç kishte thënë Moisiu.

alb@Leviticus:10:6 @ Pastaj Moisiu u tha Aaronit, Eleazarit dhe Ithamarit, bij të tij: "Mos e zbuloni kokën tuaj dhe mos i grisni rrobat tuaja që të mos vdisni, dhe që Zoti të mos zëmërohet kundër tërë asamblesë; por vëllezërit tuaj, e tërë shtëpia e Izraelit, të mbajnë zi për zjarrin që ka ndezur Zoti.

alb@Leviticus:10:7 @ Mos u largoni nga hyrja e çadrës së mbledhjes që të mos vdisni, sepse vaji i vajosjes së Zotit është mbi ju". Dhe ata bënë ashtu si kishte thënë Moisiu.

alb@Leviticus:10:8 @ Zoti i foli akoma Aaronit, duke thënë:

alb@Leviticus:10:9 @ "Mos pini verë as pije dehëse as ti as bijtë e tu, kur do të hyni në çadrën e mbledhjes, që të mos vdisni; do të jetë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj,

alb@Leviticus:10:10 @ me qëllim që të mundni të dalloni midis të shenjtit dhe profanit, midis të papastrit dhe të pastrit,

alb@Leviticus:10:11 @ dhe të mundni t`u mësoni bijve të Izraelit të gjitha ligjet, që Zoti u ka dhënë atyre me anë të Moisiut".

alb@Leviticus:10:12 @ Pastaj Moisiu i tha Aaronit, dhe Eleazarit dhe Ithamarit, bijve që i kishin mbetur Aaronit: "Merrni blatimin e ushqimit që tepron nga flijimet e bëra me zjarr për Zotin dhe hajeni pa maja pranë altarit, sepse është gjë shumë e shenjtë.

alb@Leviticus:10:13 @ Do ta hani në vend të shenjtë, sepse është pjesa që të përket ty dhe bijve të tu nga flijimet e bëra me zjarr për Zotin, sepse kështu më ishte urdhëruar.

alb@Leviticus:10:14 @ Gjoksin dhe kofshën e ofertës së tundur do t`i hani ti dhe bijtë e tu dhe bijat e tua bashkë me ty, në një vend të pastër, sepse janë pjesa që të përket ty dhe bijve të tu, dhe që ju është dhënë juve nga flijimet e falenderimit të bijve të Izraelit.

alb@Leviticus:10:15 @ Bashkë me ofertat e dhjamit të bëra me zjarr, do të çohen kofsha e ofertës së lartë dhe gjoksi i ofertës së tundur para Zotit; edhe kjo të përket ty dhe bijve të tu, si një statut i përhershëm, si ka urdhëruar Zoti".

alb@Leviticus:10:16 @ Pastaj Moisiu hetoi me kujdes për cjapin e flijimit për mëkatin; dhe ja, ishte djegur; prandaj u zemërua kundër Eleazarit dhe kundër Ithamarit, bijtë e Aaronit që kishin mbetur, duke thënë:

alb@Leviticus:10:17 @ "Pse nuk e hëngrët flijimin për mëkatin në vend të shenjtë, sepse është gjë shumë e shenjtë, dhe Zoti ua ka dhënë me qëllim që të sillni padrejtësinë e asamblesë, që të bëni shlyerjen për ta përpara Zotit?

alb@Leviticus:10:18 @ Dhe ja, gjaku i flisë nuk u çua brenda vendit të shenjtë; ju duhet ta kishit ngrënë në vend të shenjtë, si kisha urdhëruar".

alb@Leviticus:10:19 @ Aaroni i tha pastaj Moisiut: "Ja, sot ata më kanë ofruar flijimin e tyre për mëkatin dhe olokaustin e tyre përpara Zotit, dhe më kanë ndodhur gjëra të tilla; po të kisha ngrënë sot viktimën e flijimit për mëkatin, a do t`i pëlqente kjo syve të Zotit?".

alb@Leviticus:10:20 @ Kur Moisiu i dëgjoi këto, mbeti i kënaqur.

alb@Leviticus:11:1 @ Pastaj Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë atyre:


Seeker Overlay: Off On

[BookofLeviticus] [Leviticus:7] [Leviticus:8-10 ] [Leviticus:9] [Discuss] Tag Leviticus:8-10 [Audio][Presentation]
Bible:
Bible:
Book: